Transmetuar më 16-06-2020, 18:26

Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë, deri në njohje reciproke.

Këto ide ia ka shprehur të dërguarit të BE-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak.

Gjatë konferencës për shtyp, Thaçi tha se e informoi Lajçak për progesin dhe reformat e ndërmarra në vend.

"Ishte kënaqësi që të prisja Lajçak në Kosovë. E informova zotin Lajçak për progresin e arritur në Kosovë. Për reformat të cilat i kemi bërë dhe synojmë t’i bëjmë. Kosova ka një të ardhme dhe njëalternativë të vetme që të jetë pjesë e familjes evropiane.

Në këtë drejtim ne falenderojmë të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Në të njëjtën kohë, presim që dhe shtetet e tjera mike që kanë mbështetur dokumentin e presidentit Ahtisari, të lëvizin në drejtim të unifikimit fillimisht për procesin e liberalizimin e vizave sepse është jetike për qytetarët e Kosovës”, ka thnë Thaçi.

Mes të tjerash ka nënvizuar domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut me Beogradin.

“Në anën tjetër diskutuam edhe për angazhimet e drejtpërdrejta të zotit Lajçak për çështjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Çdo përpjekje që çon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që nënkupton paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor është  e mirëseardhur.

Unë dua të besoj që do të kemi veprime konkrete për dy popujt tanë nga ky angazhim. Natyrisht që Kosova ka implementuar shumë angazhime, shumë kritere dhe standarde të nevojshme dhe të domosdoshme, por ajo që dua të them është se i konfirmova pozicionin zyrtar të Kosovës se ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave dhe duhet të përfundojë me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. E ardhmja e Kosovës është  e sigurt vetëm duke qenë pjesë e perspektivës europiane.”, vijoi kreu i shtetit. /k.k/noa.al/