Transmetuar më 12-06-2020, 21:20

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë vendosi të premten që të ndërpresë mësimin plotësues për klasat e nënta.

Më 8 qershor, në Kosovë nisi mësimi plotësues për këto klasë – pas disa muajsh ndërprerjeje për shkak të pandemisë së koronavirusit – me qëllim që nxënësit të përgatiteshin për testin e arritshmërisë.

“Edhe përkundër përgatitjeve jashtëzakonisht të mëdha dhe ndihmës që kanë dhënë drejtoritë komunale të arsimit, shkollat, prindërit dhe institucionet e tjera, informatat nga terreni na kanë treguar se masat mbrojtëse nuk janë duke u respektuar sa duhet”, tha ministri i MASHTI-t, Ramë Likaj, në një konferencë për media.

”Me qëllim të mbrojtjes së nxënësve, stafit mësimor dhe të gjithë qytetarëve, kemi vendosur që mësimi plotësues për klasat e nënta në javën e dytë të ndërpritet deri në masat e tjera. Pamë se situata është shumë shqetësuese dhe virusi është prezent në Kosovë”, tha ministri Likaj.

Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 1,384 raste me koronavirus, prej të cilave 921 janë shëruar dhe 31 kanë vdekur.

Vetëm të premten janë regjistruar 58 raste të reja, gjë që i ka shtyrë autoritetet të paralajmërojnë rikthimin e masave të izolimit.