Transmetuar më 12-06-2020, 20:00

Presidenti Hashim Thaçi ka kritikuar qasjen e Albin Kurtit gjatë periudhës që qëndroi Kryeministër si në politikën e brendshme, ashtu edhe atë kombëtare dhe të jashtme.

Referuar mbylljes së kufijve, ai thotë se nuk e kupton urrejtjen e Kurtit për Shqipërinë dhe dashamirësinë ndaj Serbisë.

Pyetje: Sa i përket qeverisë tashmë të shkarkuar, beson se ka kërcënuar raportet me SHBA?

Hashim Thaçi: Vlerësimi i qeverisë Kurti se UÇK është një organizatë terroriste ka qenë shumë i dëmshëm në rrafshin kombëtar, armiqësia e tij me Shqipërinë dhe mbyllja hermetike e kufirit ka qenë shumë i dëmshëm gjithashtu, një mesazh shumë i keq në rrafshin kombëtar.

Nuk e kuptoj urrejtjen e Kurtit për Shqipërinë dhe hapjen dhe atë dashuri në raport me Serbinë. Mosbesimi dhe armiqësia që ka treguar Kurti ndaj SHBA kanë qenë rreziqe dhe gabime strategjike që ka bërë në dëm të shtetit të Kosovës. Uroj qeverinë Hoti që ka marrë 2-3 vendime të rëndësishme në 3-4 ditët e tij si kryeministër, që e ka zhbllokuar atë situatë të disfavorshme në raport edhe me Shqipërinë, tensionet e brendshme në Kosovë por edhe raportet me SHBA-të.

Në intervistën për Rtv Ora, Thaçi një përgjigje e ka edhe për akuzat e VV se po nxitohet për përmbylljen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që Trump ta përdorë si sukses të politikës së jashtme para zgjedhjeve.

Pyetje: Ka kritika nga VV se po nxitoni në një marrëveshje që mund të përdoret si sukses politik para zgjedhjeve në Amerikë.

Hashim Thaçi: Ne kemi pasur përkrahjen e të gjithë administratave të SHBA-ve, edhe presidentit Bush të vjetër, pastaj presidentit Klinton, Bushit të ri, presidentit Obama dhe tani presidentit Trump. Është një mbështetje që nuk varet kush është President, demokrat apo republikan, është një mbështetje amerikane për Kosovën. Ne jemi shumë të vegjël edhe si liderë, edhe si vend që të përzihemi në çështjet e brendshme të Amerikës, por jemi të bekuar që mund të gjendemi në axhendën e SHBA-ve.

Ka qenë një periudhë jo e fokusimit të drejtëpëdrejtë por të mbështetjes së Uashingtonit në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, u pa se ky besim ishte ngecje nga ana e BE dhe vetëm status quo për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Tani roli aktiv i SHBA-ve nënkupton lëvizje në rrugëtimin euroatlantik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Pyetje: Nga këtu buron optimizmi juaj për një marrëveshje brenda vitit?

Hashim Thaçi: Atë që kanë premtuar SHBA-të gjithmonë e kanë realizuar për Kosovën, lirinë, pavarësinë, anëtarësimin e Kosovës në rreth 200 organizata ndërkombëtare, njohjen nga 115 shtete, prandaj nuk kam asnjë dilemë apo skepticizëm në raport me SHBA. Është besimi i plotë nga ana ime dhe popullit të Kosovës. Nuk di kujt ti besoj tjetër nëse nuk i besoj Amerikës.