Transmetuar më 11-06-2020, 10:39

Departamenti Amerikan i Shtetit ka nxjerr raportin lidhur me liritë e besimit, mbi të cilin nuk ka vonuar reagimi i Presidentit Ilir Meta.

“E përshëndes raportin realist të DASH mbi liritë e besimit 2019 për Shqipërinë, dhe e çmoj me rëndësi të madhe vlerësimin për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë. Ndaj të njëjtat konkluzione me gjetjet e raportit, ku evidentohen shqetësimet e komuniteteve fetare për moskthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, si dhe vështirësitë për marrjen e lejeve nga disa autoritete lokale për ndërtimin e institucioneve të kultit”, shkruan kreu i shtetit.

Meta apelon që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH, veçanërisht lidhur me trajtimin e pronave dhe pengesat administrative e burokratike të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.

Sipas tij, ky proces, do të ndikonte në forcimin e pavarësisë të komuniteteve fetare dhe do t’i mbante ato larg ndikimeve të huaja, që synojnë dëmtimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare.

Presidenti thotë se “Duhet një reagim energjik dhe i sinqertë, institucional shtetëror për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës së komuniteteve fetare duke u dhënë fund praktikave burokratike dhe korruptive”. /a.y/noa.al