Transmetuar më 06-06-2020, 13:29
Lenda narkotike dhe parate e sekuestruara

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Shëngjergji”, ka zbuluar 37.5 kilogramë kanabis sativa, duke vënë në pranga gjashtë persona.

Pas hetimeve disamujore, bazuar në informacionet se shtetasi A. T., në bashkëpunim me disa persona të tjerë merrej me shitjen e kanabis sativa, uniformat blu bënë organizimin e operacionit.

Gjatë tij u arrestua organizatori A. T., 35 vjeç,  J. Ç., 22 vjeç, R. D., 23 vjeç, F. B. (O.), 30 vjeç, R. J., 39 vjeç dhe Xh. K., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Pas mbajtjes në vëzhgim të mjeteve me të cilat të dyshuarit po qarkullonin dhe mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se në këto mjete ndodhej lëndë e dyshuar narkotike gati për shitje, në vendin e quajtur Qafë Priskë, në rrugën e Dajtit, shërbimet policisë kanë ndaluar për kontroll dy mjetet me të cilat këta shtetas po qarkullonin.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Volkswagen Lupo”, me drejtues shtetasin J. Ç., dhe pasagjer shtetasin R. D., në pjesën e pasme të automjetit, efektivët e policisë kanë gjetur tri qese plastike me lëndë të dyshuar kanabis sativa.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Golf”, me drejtues A. T., dhe pasagjer shtetasit Xh. K., F. B., (O.) dhe R. J., uniformat blu i kanë gjetur drejtuesit të mjetit shtetasit A. T., 8500 euro dhe 4700 lekë me të cilat dyshohej se do të blinte lëndën narkotike.

Nga kontrolli i ushtruar në të dyja mjetet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale tri qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa me peshë 37.5 kg, 8500 euro dhe 4700 lekë dhe 8 aparate celular.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al