Transmetuar më 06-06-2020, 13:11

Përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, reagon pas marrëveshjes së arritur mbrëmjen e së premtes me opozitën.

Ai thotë se ligji i ri zgjedhor i hap rrugën aplikimit të votës së emigrantëve.

Gjiknuri shprehet se ka ndjekur me vëmendje reagimet publike rreth çështjes së votës së emigrantëve, ku thotë se fatkeqësisht, retorika politike rreth dy-tre çështjeve të tjera të reformës e la jashtë vëmendjes së medias trajtimin e zgjidhjes ligjore që është dakordësuar për votën e emigrantëve.

Sipas tij, kjo mungesë vëmendjeje u la hapësirë spekulimeve.

“Gjej rastin që të ju sqaroj, Po! Vota e emigrantëve është premtim dhe angazhim i marrë nga Partia Socialiste për tu adresuar. Me kërkesën e PS kjo temë u përfshi në axhendën e punës së reformës zgjedhore. Në ligjin e ri zgjedhor është përcaktuar udhërrëfyesi që do të mundësojë zbatimin e votës së emigrantëve. Në vend që të hartonim dispozita të detajuara në ligj që më pas do të ishin të pazbatueshme dhe do të dështonin, me këshillën e ekspertëve ne zgjodhëm ti japim detyrën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si organi i posaçëm teknik që me Akt Normativ dhe rregulla të posaçme të mundësojë aplikimin e votës në distancë e cila do të shpërndahet sipas qarqeve përkatëse në llogaritjen përfundimtare të rezultatit zgjedhor në Shqipëri”, shkruan Gjiknuri.

Ai thotë se ky është një detyrim i ri ligjor për KQZ që nuk e ka patur më parë dhe shton se shpreson që miratimi sa më shpejt i ligjit të ri zgjedhor ti mundësojë këtij institucioni të kryejë të gjithë fazat e përgatitjes së infrastrukturës, për ta bërë të mundshëm aplikimin e votës së emigrantëve që në zgjedhjet e ardhshme.

Gjiknuri fton të gjithë mekanizmat dhe organizatat e diasporës të bashkëpunojnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të kontribuar bashkarikisht në përcaktimin e teknikaliteteve dhe infrastrukturës më të përshtatshme.

Ai deklaron se qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ti ofruar KQZ-së të gjithë bazën e të dhënave, njohuritë dhe mbështetjen e nevojshme financiare për ta kryer me sukses këtë detyrim ligjor.

“Ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund këtij procesi për tu mundësuar të gjithë emigrantëve shqiptarë të drejtën e shprehjes me votë në zgjedhje parlamentare”, thotë në mbyllje Damian Gjiknuri. /a.y/noa.al

DOKUMENTI I PLOTË/ Ja marrëveshja që pranuan mazhoranca dhe opozita për reformën zgjedhore

Presidenti hedh poshtë marrëveshjen: Nuk siguron zgjedhje të lira

Rama dhe Basha komentojnë marrëveshjen për Reformën, Kryeministri i “pakënaqur”

Marrëveshja për Reformën Zgjedhore, flasin ambasadorët Kim dhe Soreca

Arrihet marrëveshja për Reformën Zgjedhore, pritet zyrtarizimi pas mbledhjes së Këshillit Politik