Transmetuar më 06-06-2020, 11:16
Foto ilustruese

Gjatë orëve të fundit janë shtuar shtrimet e reja në spitalin Infektiv, ku aktualisht po trajtohen 27 të prekur me koronavirus.

Prej tyre 6 janë në terapi intensive, dhe njëri prej tyre është i intubuar.

Shifrat u publikuan në raportin e ditës së sotme, nga zyrtarja e ministrisë së Shëndetësisë Flutura Beqo, e cila tha se nga 253 testime të kryera në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 20 raste pozitive me koronavirus.

Prej tyre 10 në Tiranë, 3 në Shkodër, 3 në Krujë, 2 në Durrës dhe 2 në Tropojë.

Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte familjare dhe disa raste të reja në proces hetimi.

Po ashtu në orët e fundit është konfirmuar një personel shëndetësor i riinfektuar, pas tre muajsh. Rasti në fjalë është infektuar për herë të dytë, si kontakt familjar, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar.

Gjatë 24 orëve të fundit një 85 vjeçare nga Tirana ka humbur jetën në Spitalin Infektiv, e konfirmuar me Covid-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Deri me sot 34 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me Covid-19 pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Ndërkohë në Laboratorin e Virologjisë në ISHP kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me COVID19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve ne te gjithë vendin.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 15 qytetarë, duke e çuar në 925 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.

Deri tani janë kryer mbi 18 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1232 raste. Në vendin tonë janë aktualisht 273 persona aktivë me COVID19, rreth 70% e të cilëve janë në Tiranë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 187; Krujë 23; Shkodër 17; Kamëz 14; Durrës 10; Mat 9; Lushnje 6; Berat 2; Tropojë 2; Korçë 1; Librazhd 1 dhe Mallakastër 1. /a.y/noa.al