Transmetuar më 06-06-2020, 07:40

Të dhëna të publikuara nga kompania ‘Apple’ mbi trendin e lëvizshmërisë së popullatës, tregojnë që lehtësimi i masave shtrënguese të lëvizjes e ka kthyer qarkullimin në këmbë dhe me makinë afërsisht në nivelet përpara shpërthimit të epidemisë së COVID-19.

Të dhënat e ‘Apple Mobility Trends’ tregojnë që në datën 3 qershor qarkullimi i këmbësorëve ka një diferencë me vetëm 12 % më pak se me periudhën përpara COVID-19, kurse qarkullimi i automjeteve ka një diferencë më 10 % më pak.

Këto të dhëna gjenerohen duke llogaritur numrin e kërkesave të bëra në ‘Apple Maps’ për udhëzime për adresa/destinacione të caktuara në vendet / rajonet dhe qytetet e zgjedhura. Disponueshmëria e të dhënave në një vend / rajon ose qytet të veçantë i nënshtrohet një numri faktorësh, duke përfshirë pragjet minimale për kërkesat e bëra gjatë një ditë.

Duke qenë se volumi i kërkesave nga Shqipëria ndaj shërbimit ‘Maps’ të ‘Apple’ është i kufizuar, të dhënat e publikuara janë në rang vendi dhe jo për çdo qytet.

Që nga shpërthimi i epidemisë së COVID-19 në Shqipëri 1212 persona janë infektuar me koronavirusin e ri SARS-CoV-2. Të paktën 34 prej tyre kanë gjetur vdekjen.