Transmetuar më 05-06-2020, 22:46

Ndërron jetë në spitalin infektiv 85-vjeçarja me COVID19, e cila kishte edhe sëmundje bashkëshoqëruese, raporton noa.al duke cituar burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë.

Mbrëmjen e sotme ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një paciente 85-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19. E moshuara e cila vuante nga insuficiencë kardiake kronike, fibrillacion atrial dhe hipertension, referuar shërbimit infektiv, ndërroi jetë si pasojë e dekompensimit progresiv kardiak dhe pulmonar fatal nga COVID19.

85-vjeçarja me inicialet H.K, nuk arriti dot të mbijetonte, pavarësisht mjekimit intensiv dhe përpjekjeve të stafit mjekësor.

85-vjeçarja është zyrtarisht viktima e 34 e COVID-19 në Shqipëri, por janë dhe të paktën 8 persona që ishin pozitivë, por pas vdekjes së tyre, Ministria e Shëndetësisë vlerësoi se vdekja e tyre nuk erdhi nga koronavirusi.

NOA apelon edhe një herë qytetarët të respektojnë rregullat e distancimit social, të shmangin grumbullimet dhe të ruajnë higjienën vetjake, për të mbrojtur veten dhe të tjerët.