Transmetuar më 05-06-2020, 16:56

Komisioni i Venecias ka rëzuar ligjin anti-shqifje duke i sugjeruar Qeverisë shqiptare që të rishikojë paketën.

Në përgjigje të Këshillit të Europës, “Venecia” shprehet se draft-amendamentet e ligjit për shërbimet audiovizive nuk janë gati për zbatim në variantin aktual.

"Venecia" vëren se Autoritetit të Medias Audiovizive i jepen fuqi të mëdha administrative për median online, prandaj kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhjes së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.

“Përbërja e AMA-s dhe Komiteti i Ankesave, i cili zgjidhet nga AMA në bazë të rregullave të hartuara nga AMA, mund të krijojë shqetësime të ligjshme për pavarësinë e këtyre dy organeve. Prania e përfaqësuesve të komunitetit të medias dhe shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat kryesore politike, mund të jetë një hap që forcon pavarësinë e këtij organi.

Së dyti, ‘është e paqartë nëse anëtarët e AMA-së dhe të Komitetit të Ankesave janë mjaftueshëm të pavarur nga industria e madhe e mediave, në bazë të rregullave për papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit”, thuhet në konkluzionet e Komisionit të Venecias.

Ky institucion shprehet kritik edhe me gjobat e larta që janë parashikuar në ligj, të cilat fillojnë nga 100 mijë deri në 800 mijë lekë.

“Jashtëzakonisht problematike për lirinë e mediave në kontekstin shqiptar është natyra e ashpër dhe me efekte të mëdha negative e gjobave. Gjobat jashtëzakonisht të larta paraqesin një kërcënim me efekt pothuajse aq të ftohtë sa burgimi, megjithëse më shumë tinëzarë mund të shihet një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media”, thuhet më tej.

Komisioni i Venecias kujton se sanksionet e rënda nuk duhet të zbatohen menjëherë; procedurat gjyqësore në raste të tilla duhet të kenë një efekt pezullues dhe gjykatat duhet të kenë fuqinë të rishikojnë përmbajtjen e vendimeve në kuadrin e procedurave të cilat ofrojnë garanci themelore të gjykimit të drejtë.

Në fund, Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetërregullues që funksionon në mënyrë efektive dhe që përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave. /k.k/noa.al/