Transmetuar më 05-06-2020, 13:40

NASA ka publikuar një foto të veçantë të liqenit të Shkodrës, e kapur nga hapësira. Pamja e mrekullueshme e liqenit ka tërhequr vëmendjen e një prej astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).

Në faqen e NASA-s bëhet edhe një përshkrim i liqenit më të madh në Ballkan, i cili ndahet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Gadishullin Ballkanik dhe llogaritet si një nga liqenet më të vjetra në botë. Romakët e quanin “lacus Labeatis” ose “Palus Labeatis”, me emrin e fisit të Labeatëve.

Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish dhe 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.

Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin jug-lindor shtrihet qyteti i Shkodrës, prej së cilës ka marrë edhe emrin.