Transmetuar më 05-06-2020, 11:34

Nga 15 infektimet e reja të konfirmuara me koronavirus në 24 orët e fundit, dy prej tyre rastet e Kamzës, rezultoi se e kanë marrë virusin në një funeral.

Ndërkohë rastet e reja 10 janë konstatuar në Tiranë, 2 në Kamëz dhe 3 në Shkodër.

Shefja e Inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, deklaroi se “Dy rastet pozitive në Bashkinë Kamëz janë identifikuar gjatë një ceremonie mortore, ndaj edhe një herë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u rikujton qytetarëve se funeralet përtej rretheve familjare të ngushta, nuk jane të lejuara, pasi janë rrezik për shpërndarjen e infeksionit. Vijojnë të jenë të ndaluara çdo lloj aktiviteteti me grumbullime masive njerëzish, ndaj lutemi për respektim të masave që janë në fuqi”.

Aktualisht në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Më pak se 10% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 12 qytetarë, duke e çuar numrin total të tyre që nga fillimi epidemisë në 910. Në vendin tonë janë 269 persona aktivë me COVID19, ku në Tiranë janë rreth 69 % e të prekurve, kurse pjesa tjetër janë kryesisht në Durrës, Shkodër, Kamëz, Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 185; Krujë 22; Kamëz 14; Shkodër 14; Durrës 12; Mat 9; Lushnje 6; Berat 2; Fier 2; Korçë 1; Librazhd 1 dhe Mallakastër 1.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 17500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1212 raste, ndërsa rreth 75% e të prekurve janë tashmë të shëruar. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT janë kryer 2035 testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 7 %./a.y/noa.al