Transmetuar më 05-06-2020, 11:05

Nga 162 testime të kryera në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 15 raste të reja të infektuarish me koronavirus.

Prej tyre 10 janë konstatuar në Tiranë, 2 në Kamëz dhe 3 në Shkodër.

Shefja e Inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, deklaroi se dy rastet e Kamzës, janë infektuar në një ceremoni mortore, ndaj bëri thirrje që të shmangen grumbullime të tilla.

“Dy rastet pozitive në Bashkinë Kamëz janë identifikuar gjatë një ceremonie mortore, ndaj edhe një herë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u rikujton qytetarëve se funeralet përtej rretheve familjare të ngushta, nuk jane të lejuara, pasi janë rrezik për shpërndarjen e infeksionit. Vijojnë të jenë të ndaluara çdo lloj aktiviteteti me grumbullime masive njerëzish, ndaj lutemi për respektim të masave që janë në fuqi”, tha Tomini.

Aktualisht në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Më pak se 10% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 12 qytetarë, duke e çuar numrin total të tyre që nga fillimi epidemisë në 910. Në vendin tonë janë 269 persona aktivë me COVID19, ku në Tiranë janë rreth 69 % e të prekurve, kurse pjesa tjetër janë kryesisht në Durrës, Shkodër, Kamëz, Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 185; Krujë 22; Kamëz 14; Shkodër 14; Durrës 12; Mat 9; Lushnje 6; Berat 2; Fier 2; Korçë 1; Librazhd 1 dhe Mallakastër 1.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 17500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1212 raste, ndërsa rreth 75% e të prekurve janë tashmë të shëruar. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT janë kryer 2035 testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 7 %.

“Duke ju ftuar edhe njëherë për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës vetjake, ju kujtojmë dy linjat falas që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion: Urgjenca Kombëtare me numrin 127 nëse keni shenja të sëmundjes dhe linja e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19”, deklaroi Tomini.

COVID-19 – Statistika 5 Qershor 2020

Testime totale 17844

Testime molekulare 15809

Testime serologjike 2035

Raste pozitive 1212

Raste të shëruara 910

Raste Aktive 269

Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)