Transmetuar më 05-06-2020, 10:56
Armet e sekuestruara

Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedentë të theksuar kriminal është vënë në prangat e policisë së Elbasanit, në kuadër të operacionit të koduar “Shënkoll”.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, uniformat blu bënë arrestimin e të dyshuarit.

Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Ervis Dakës, 33 vjeç, banues në lagjen Shënkoll, Elbasan, policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, konkretisht: një kallashnikov, dy pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, 170 fishekë dhe një jelek antiplumb.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy telefona celularë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i Dakës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Ndaj të dyshuarit, materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al