Transmetuar më 05-06-2020, 09:20

Presidenti Ilir Meta, me rastin e ditës ndërkombëtare të mjedisit bën thirrje që betoni të mos zhdukë kurorat e gjelbra.

“Sot, apeli im është të zgjohemi për të mos lejuar më që keqmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe ndotja e ajrit të dëmtojnë jetët tona, që betoni të zhdukë hapësirat dhe kurorat e gjelbra të qyteteve, që lejet abuzive dhe papërgjegjshmëria të sharrojnë pyjet e jashtëzakonshme, malet t’i kthejnë në gurore, detin ta ndotin dhe bregdetin ta shkatërrojnë, që HEC-et dhe shfrytëzimi pa kriter të rrezikojë zhdukjen e Vjosës, Valbonës dhe shumë lumenjve përrallorë që kërcënohen nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i vendimmarrësve”, shkruan Meta.

Ai thotë se Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës, por se të gjithë bashkë duhet të kontribuojmë për të mbrojtur çdo dhuratë që na ka falur Zoti.

“Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët! Ta mbajmë të pastër e të gjelbër, dhe një vend të mirë e të shëndetshëm për të jetuar! Do të jem në mbështetje të shoqërisë civile, aktivistëve të ndershëm e patriotë dhe çdo komuniteti që duke mbrojtur mjedisin dhe bukuritë natyrore mbron të ardhmen e begatë të Shqipërisë!”, deklaron Presidenti. /a.y/noa.al