Transmetuar më 05-06-2020, 08:12

Kryeministri Edi Rama nxjerr një video të para disa viteve, nga zona famëkeqe e Sharrës në periferi të Tiranës.

Me rastin e ditës ndërkombëtare të mjedisit ai shkruan, “A ju kujtohet Sharra famëkeqe e deri pak vitesh? Sharra e plehrave që ngrinte çdo muzg renë e tymit mbytës mbi zonën e Kombinatit; Sharra e romëve, gra, pleq, fëmijë, që si në filmat bardhezi nga Afrika e dikurshme gërmonin me duar nëpër plehra dhe ku helmet gërmonin mushkëritë e punëtorëve të pastrimit e të banorëve të zonës; Sharra e ujërave ku plehrat merrnin lundrimin për në det, duke helmuar ujin e tokën ku ngeleshin e kalbeshin… Sharra pra Sharra, ajo e akuzave monstruoze për koncesionin e dhënë nga “qeveria e krimit që”, medemek, “paguante miliona të cilat shkonin në xhepat e oligarkëve” a ju kujtohet?”.

Kryeministri kujton se kur erdhën në qeveri vendosën që t’i jepej fund asaj zone kanceroze në mes të kryeqytetit, për të cilën thotë ishte një nga turpet më të mëdha të keqqeverisjes çerekshekullore!

“Sapo fituam mbrapsht edhe Bashkinë e grabitur të Tiranës, nisëm punën për të shpëtuar Tiranën nga Sharra dhe Sharrën nga ferri i plehrave të kryeqytetit të Shqipërisë… Ju lutem shikojeni Sharrën sot, ku ende nuk ka përfunduar projekti që parasheh transformimin e plehrave në energji elektrike dhe transformimin e asaj plage të tmerrshme mjedisore, në një prej parqeve më të bukur të vendit për familjet e për fëmijët, të cilët do të mundet jo vetëm të luajnë në atë park, po edhe të shohin shpendë e kafshë paqësore në natyrën e rilindur mbi atë tokë ku mbretëroi prej më shumë se gjysëm shekulli, turpi dhe mallkimi i keqqeverisjes”, shkruan Rama.

Ai thotë se Sharra nuk është e vetmja pasqyrë e vizionit dhe ambicies për sistemin e grumbullimit e përpunimit të plehrave në Shqipëri, duke bërë me dije se tanimë jo vetëm Elbasani ka shpëtuar nga i njëjti kancer dhe Fieri po ashtu do të ketë impiantin ultramodern të transformimit të plehrave në energji, mes një parku të ri, por edhe Durrësi do të ketë shumë shpejt në vend të vargmaleve me plehra plot me derra, në Porto Romano, një park të madh urban për të gjitha moshat. /a.y/noa.al