Hoti flet si Kryeministër i Kosovës: Detyrë në kohë të vështirë. Thaçi: I ofroj bashkëpunim
Transmetuar më 03-06-2020, 13:58

Kuvendi i Kosovës votoi sot qeverinë e re të drejtuar nga Avdullah Hoti, duke i dhënë fund qeverisjes së Albin Kurtit.

Duke folur pas seancës parlamentare, tashmë si Kryeministër, Hoti tha se, “Jam i nderuar që bashkë me kabinetin qeveritar kemi marrë besim për shërbimin vendit dhe qytetarëve në këtë kohë të vështirë, ku ka nevojë për rimëkëmbje dhe nevoja imediate për të rindërtuar marrëdhëniet e prishura me partnerët strategjikë”.

Hoti tha se do të jetë llogaridhënës edhe në mbrojtje të Kushtetues dhe se do të ndërtohet një komunikim i ri mes Qeverisë dhe Kuvendit.

Lidhur me qeverinë e re, ka reaguar edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili thotë se kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit.

“I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare. Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, shkruan Thaçi. /a.y/noa.al

Kryeministër Hoti, Kuvendi i Kosovës miraton qeverinë e re

Loading...