Transmetuar më 02-06-2020, 17:52

Gjatë takimit me përfaqësues nga shoqata e pronarëve, Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar Qeverinë për mënyrën se si i ka trajtuar pronarët në këto 7 vite.

“I gjithë korpusi ligjor dhe veprimet e qeverisë Rama, kanë qenë kundër pronës private dhe në shërbim të planeve korruptive të biznesmenëve të lidhur me të, pjesë e të cilit është edhe ligji i investimeve strategjike në vitin 2015.

Sikundër dhe ligji i ri i pronave i cili e trajton pronën private të individit si një mall në shportën e oligarkëve pa pasur respekt për shenjtërinë e pronës dhe zotëruesit e saj”, shkruan Bashan ë Facebook.

Lideri demokrat pranon gabimet që janë bërë në qeverisjen e PD-së, por zotohet se do të zgjidhë problemin e pronarëve.

“Duke pranuar përgjegjësitë e PD në të shkuarën për këtë çështje, i sigurova përfaqësuesit e shoqatës së pronarëve se qeveria e ardhshme do të mundësojë një zgjidhje përfundimtare sipas standarteve europiane për pronarët, gjithmonë në konsultim me ta.

Së bashku me ta u dakordësuam për të hartuar një projekt të qartë dhe gjithashtu piketat kyçe të një projektligji që do të zëvendësojë korpusin kriminal të projektligjeve në lidhje me pronën, të miratuar nga qeveritë Rama.

Nën koordinimin e zonjës Ledina Mandia, ne do të ndihmojmë dhe do të ideojmë së bashku me shoqatën e pronarëve një korpus ligjor që do të përpiqet të japë zgjidhjen e duhur për pronën në Shqipëri. Qeveria Rama nuk ka interes raportin e drejtësisë dhe të së drejtës së tyre. Përkundrazi, ajo ka interes vetëm një grusht individësh që përfitojnë në kurrizin e pronarëve”, përfundon Basha në rrjetin social. /k.k/noa.al/