Transmetuar më 02-06-2020, 17:17

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për shërbimet dhe pagesat, që ka për qëllim rregullimin e shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm.

Por kreu i shtetit ka vënë re parregullsi dhe arsyetime që ky ligj të zbatohet keq në praktikë.

“Ligji paraqet disa problematika të cilat krijohen nga paqartësia e disa dispozitave; mungesa e harmonisë së tyre me legjislacionin ekzistues; apo nga hapësira që disa dispozita krijojnë për keqzbatim në praktikë, të cilat do të shtjellohen në vijim.

Reflektimi mbi këto problematika dhe adresimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë do të ofrojë një terren më të sigurtë ligjor për operatorët ekonomikë dhe në ruajtjen të pacenuar të interesit publik në tërësi”, thuhet në argumentet juridikë të kreut të shtetit.

Më konkretisht, sipas kreut të shtetit, ky ligj paraqet këto mangësi:

– Mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave;

– Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave;

– Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.

Për të lexuar dekretin e plotë të Presidentit, klikoni KËTU. /k.k/noa.al/