Transmetuar më 02-06-2020, 14:38

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Nargjile”, ka vënë në pranga një person dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë.

Nga hetimet intensive të kryera nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë u bë arrestimi i shtetasit E. Ç., 21 vjeç, banues në Tiranë, u shpall në kërkim shtetasi S. J.

Krahas tyre u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi L. R.

Arrestimi i E. Ç., u bë pasi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: një sasi 21 kilogramë qese ambalazh, e dyshuar e falsifikuar, logo, markë e patentë nga subjekte të paautorizuara të paregjistruara nga markat dhe patentat, 370 kova plastike me produkte akcize nargjile, e gatshme për t’u hedhur në treg, 33 shishe me kimikate përzierësish dhe aromatizues të ndryshëm, një kovë me 15 kg produkt nargjile i papërzier, 12.000 pipza për nargjile, 64 komplete aparate për të konsumuar nargjile, aparate përzierjeje dhe përpunimi nargjile, disa dokumente dhe një automjet.

Këto produkte dyshohet se janë futur në Shqipëri nga pika të ndryshme kufitare, duke shmangur tërësisht regjimin dhe detyrimin doganor.

“Ky operator, nëpërmjet kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore, ka konkurruar në mënyrë të paligjshme në tregun e brendshëm”, thotë policia.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al