Transmetuar më 02-06-2020, 14:27

Përfaqësuesja e komunitetit LGBT, Xheni Karaj ka deklaruar se dëshiron që të krijojë familje me partneren e saj, Livian.

Xheni është shprehur se dëshiron që fëmijën ta sjellin në jetë përmes insemimit artificial dhe se dhurues mund të jetë Kristi Pinderi.

E pyetur nëse familja e tyre do të zgjerohet përmes adoptimit, Xheni thotë se, “Nuk është ide e keqe edhe adoptimi, sepse ka shumë fëmijë që kanë nevojë për familje dhe dashuri. Ne faktikisht dëshirën e kemi ta bëj ose unë, ose Livia, ose të dyja me inseminim artificial. Kemi shumë miq të afërt që mund të jenë donatorë. Kristi Pinderi është një nga personat që mund të jetë kandidat, e kemi menduar si opsion. Kjo gjë është në planet tona të afërta, jemi duke e diskutuar. Tani kemi dhe një çift shoqesh që janë duke e provuar insemimin dhe të shohim si do shkojë me to”.

Ajo ka shtuar se kanë zgjedhur si baba të fëmijës Kristi Pinderin, sepse duan që të jetë i pranishëm në jetën e fëmijës dhe se s’ka gjë më të bukur se të rritet nga tre aktivistë.

E pyetur në emisionin ‘Ditë e Re’, nëse një çift i komunitetit LGBT mund të ndikojë në preferencat seksuale të fëmijës, ajo është shprehur se sipas studimeve të bëra në SHBA, rezulton se nuk ka asnjë lidhje midis orientimit seksual të prindërve dhe fëmijëve.

Sipas saj, kjo është diçka që vjen natyrisht dhe se ajo vjen nga një familje heteroseksuale dhe se ka filluar ta ndjejë ndryshimin në moshën 7-vjeçare, kur kuptoi se ndjente tërheqje ndaj vajzave, edhe pse nuk e dinte çfarë ishte kjo gjë.