Transmetuar më 02-06-2020, 09:28
Meta- Matarella

Presidenti Ilir Meta, uron homologun italian, Sergio Mattarella, me rastin e festës së Republikës.

Ai shpreh, urimet më të ngrohta e miqësore, për popullin mik italian.

Meta thotë se Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik, të cilat reflektohen në të gjitha fushat e dimensionet e bashkëpunimit dypalësh, shumëpalësh si dhe iniciativave apo organizatave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare. “Konstatoj me kënaqësi se falë traditës dhe vullnetit të mirë të të dyja palëve, këto marrëdhënie janë bërë më të forta e shumë më intensive. Dy popujt tanë, miq prej shekujsh, ndërveprojnë gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Arbëreshët e Italisë, një urë lidhëse e vjetër dhe e qëndrueshme, si dhe mijëra shqiptarë që pas viteve ‘90 gjetën mikpritje e mbështetje në Itali e kanë forcuar në mënyrë të vazhdueshme miqësinë midis dy vendeve. Gëzohem pa masë kur mësoj se numri i qytetarëve italianë që investojnë, bëjnë biznes, punojnë, studiojnë apo që vijnë për turizëm në Shqipëri rritet çdo ditë, duke i bërë më të forta e të pazgjidhshme marrëdhëniet midis dy kombeve tona. Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen që Ju personalisht dhe të gjitha autoritetet dhe institucionet italiane po i japin Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ndjehemi me fat që në realizimin me sukses të kësaj aspirate kemi një mbështetës dhe avokat të jashtëzakonshëm si Italia”, shkruan Meta.

Më tej shton se ndërsa pandemia e COVID-19-ës po godet mbarë botën dhe vendet tona, uroj që së bashku, me përpjekje të mirëmenduara e të koordinuara, me mençuri dhe forcë, ta kapërcejmë këtë situatë, të rikthehemi së shpejti në normalitetin e jetës së përditshme dhe të kemi një të ardhme sa më të mirë për të gjithë ne.

“Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe dëshirën për të vijuar së bashku me Ju  forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, thotë në mbyllje Meta.