Transmetuar më 01-06-2020, 22:03

Reperi Noizy i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin "Në Kurthin e Piter Pan" në Tv Klan, ka ndarë me publikun historitë nga më të ndryshmet që ka kaluar kur ka qënë i vogël.

Një nga gjërat më të vështira me të cilat i është dashur të përballet, ka qenë shpërngulja për në Britaninë e Madhe.

Ai rrëfeu në emision se kur shkoi në shkollë në Angli, disa moshatarë i kërkuan të largohej nga tavolina pasi ishte refugjat.

"Kam ikur në Angli 10 vjeç. Mbaj mend diçka që nuk e harroj kurrë. Në Shqipëri jemi mësuar duke ecur me shokët dhe çfarë ka një shok ia jep tjetri, pra do e bëjmë bashkë.

Vazhdova shkollën në Angli, dita e parë që mbaruam katër klasat dhe vazhdoi pushimi i gjatë shkova tek salla ku hamë bukë, mora ushqimin dhe shkova tek tavolina. Gjeta ca çuna me ngjyrë të bardhë dhe thoja me vete këta janë si puna jonë.

Kur jam ulur aty më thanë çohu nga tavolina. Unë i thashë pse sepse ti je refugjat dhe nuk e vend këtu thanë, shko gjeje diku vend tjetër. Atë ditë nuk kam ngrënë bukë dhe kam qarë. Atë ditë kam kuptuar sa e vështirë është të përdorin racizëm kundër një fëmijë", tha Noizy.

Madje reperi rrëfeu në studio se do të kishte dashur të mos ishte larguar kurrë nga atdheu.

"Do doja të mos e lija vendin tim në ‘97 pasi u shpërngulëm në Londër. Atje filloi rinia, vazhdimi. U desh të shkëputesha nga shokët këtu dhe kjo është gjëja më prekëse e kësaj “fatkeqësie” që m’u desh të shkëputesha nga shoqëria ime në një gjë të re. Ishte pjesa më e vështirë. Një shtet si Anglia më bëri të bëhesha burrë pak para kohe", shtoi më tej reperi.