Transmetuar më 01-06-2020, 13:57

Zbardhen të dhëna të reja lidhur me atentatin e dy ditëve më parë në Mamurras të Laçit, ku Paulin Gjergji alias Markaj dhe Bujar Hasani alias Lika, u ekzekutuan me pesë plumba. Kamerat e sigurisë të biznesit ku ndodhi ngjarja kanë filmuar gjithçka, ndërkohë në pamjet filmike tregohet se autorët kanë qenë katër, të maskuar dhe të veshur si policë.

Ka shumë dyshime se ky atentat ka qenë i mirëorganizuar dhe paguar nga persona të tjerë, që kanë konflikte me Bujar Hasanin dhe Paulin Gjergjin.

Ende policia dhe prokuroria e Laçit nuk ka një version zyrtar se kush ishte objektivi i këtij sulmi me armë, që përfundoi me dy të vrarë.

Njëri nga personat që mbahet i arrestuar për këtë ngjarje dhe që ka mbetur i plagosur është Kreshnik Tusha, i cili besohet se ka shkëmbyer zjarr me Bujar Hasanin. Pritet që në ditët në vijim Kreshnik Tusha person i papunë nga Laçi, të merret në pyetje dhe t’i caktohet masa e sigurisë nga gjykata e Kurbinit.

Paulin Gjergji alias Markaj, pronar i disa bizneseve në Shqipëri, nuk mundi t’i mbijetojë kësaj ngjarjes. Paulin Gjergji nuk dihet me saktësi nëse ka qenë rastësisht në këtë ngjarje apo ka qenë objektivi, raporton ‘shqiptarja’.

Ndërsa Bujar Hasani (Lika), i cili njihet si miku i Ervis Martinit, ka mbetur i vdekur në vend.  Mes autorëve dhe njërit prej viktimave Bujar Hasani, ka pasur shkëmbim zjarri, pasi këtij të fundit policia i gjeti shumë pranë trupit një armë zjarri pistoletë.

Hasani njihet si person me precedentë penale, por në disa raste ka mundur t’ia hedhe drejtësisë. Në ngjarjen ku mbeti i vrarë Enton Nikaj në zonën e Dajtit në Tiranë, Bujar Hasani, u deklarua i pafajshëm nga gjykata e Apelit Tiranë.

Bujar Lika kishte në pronësi lokalin “Dea Cafe” në ish-Bllok. Biznesin në Tiranë e kishte në emër të motrës. Ndërsa në pronësi të Paulin Gjergjit alias Markaj është kompania “Antoni New-York”, kompania e kazinove “Intertronic” dhe kompania e tregtimit të gazit në Shqipëri “Petro Gaz Albania-n”.

Sipas burimeve të policisë Paulin Gjergji, ka qenë dhe pronar i ish-Bar Restorant “Nicolini” në afërsi të ish-hotel “Dajtit”.