Transmetuar më 31-05-2020, 18:04

Mbrëmja e së shtunës ishte e mbushur me lajme të kronikës së zezë, ku dy prej tyre ngjallën klimë pasigurie. Në Kurbin, pranë një hoteli u vranë dy persona dhe u plagos një i tretë. Kurse në Tiranë iu vu eksploziv një hoteli duke dëmtuar atë dhe lokalin pranë tij.

Por si ndodhën dy ngjarjet në interval më pak se një orë njëra nga tjetra?

Në orën 22.17 të së shtunës, tek hoteli në Gjormë të Kurbinit, pranë superstradës Mamurras-Lezhë, mbetën të vrarë Bujar Lika Hasani 37 vjeç dhe pak orë më vonë edhe i plagosuri 53 vjeçar, Paulin Gjergji. Po ashtu u plagos K. Tusha, 21 vjeç. Për këtë ngjarje raportohet se ishin dy autorë që hapën zjarrim fatal me armë.

Gjysmë ore më vonë, rreth orës 22:40, në një rrugicë të ndërmjetme midis një lokali dhe një hoteli në rrugën e “Dibrës”, ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse. Si pasojë e shpërthimit nuk ka asnjë të lënduar, por vetëm dëme materiale tek të dy objektet.

Hetimet evidentojnë se ka qenë një person me makinë i cili ka hedhur eksplozivin dhe është larguar.

Në të dyja ngjarjet nuk ka autorë të ndaluar.

Lika

Bujar Lika (Hasani), 37 vjeç, i cili gjeti vdekjen mbrëmë në Kurbin, njihej si mik i Ervis Martinit. I ndjeri ishte pronar i një mobilerie dhe i një biznesi transporti. Bashkë me të gjeti vdekjen edhe 53 vjeçari Paulin Gjergji, kurse u plagos 21 vjeçari K.Tusha.

Bujari u akuzua më 2015 si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikajt tek lokali Murraga pranë Dajtit. Një vit më vonë ai u la i lirë ashtu si Vis Martini. Që të dy u dyshuan si të përfshirë në krimin ku morën pjesë gjashtë vetë. Policia ndaloi si vrasës, Emiljano Ninën.

Martini

Ervis Martinaj

Ervis Martini (Martinaj) ka qenë oficer policie, por u largua pas operacionit të policisë kundër lojërave të fatit. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.

Ervis Martinaj është përmendur edhe në gjyqin ndaj Emiliano Shullazit. Sipas deklaratave të Ylvi Beqaj në prokurori, Ervis Martinaj ka marrë përsipër t’i mbyllë gojën për llogari të Shullazit. Fillimisht e joshi me para. Shtatë milionë euro i ofroi Martinaj biznesmenit që akuzon Shullazin për gjobëvënie. Kur e pa se nuk arriti ta bindë, iu kthye mënyrave të vjetra duke e kërcënuar për vrasje.

Gjithashtu kundër Martinajt kanë dëshmuar edhe disa tregtarë në Lezhë, se u kërcënuan nga Ervis Martinaj për të folur në media kundër dëshmitarit të mbrojtur.

Në foton poshtë Martinaj është personi që mban dorën në qafën e Enton Nikës në krahun e djathtë të fotografisë. Pak minuta më pas, Nika mbeti i vrarë nga plumbat e pistoletës.

Mata

Sakaq, Ervin Mata është një tjetër person i njohur për publikun dhe policinë. Vitin e kaluar ai u vetëdorëzua në Polici pasi prej 6 muajsh kërkohej nga autoritetet për vrasjen që ndodhi në zonën e ish-Bllokut, ku pas një përplasjeje me armë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Familja e Ervin Matës, i ati, ka në pronësi hotelin Viktoria pranë QSUT. Megjithatë disa e njohin këtë objekt si hoteli i Ervin Matës. /noa.al/