Transmetuar më 31-05-2020, 13:27

Nisur nga rastet e shumta të të prekurve me koronavirus në radhët e bluzave të bardha, PD akuzon ministrinë e Shëndetësisë se po fsheh të vërtetën.

Ish-deputeti i PD Bardh Spahia, ka akuzuar Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirlu, se po fsheh numrin real të të infektuarve nga personeli shëndetësorë.

Përmes një postimi në Facebook, Spahia shkruan se qendra shëndetësore nr.9 është kthyer në një vatër të re infeksioni, dhe se nuk janë testuar të gjithë anëtarët e personelit dhe familjarët e tyre.

Sipas tij, nuk janë 2 pozitivë ditën e sotme por 4 anëtarë të personelit shëndetësor.

Postimi i plotë

"Ogerta, si nuk te "tmerron" qe po fsheh numrin e te infektuarve te personelit shendetesor?

E pabesueshme se si mund të gënjehet kaq paturpësisht, duke fshehur shifrën reale të të infektuarve në personelin shëndetësor!

Sot ministria e shëndetësisë tha se nga 35 anëtarë të personelit shëndetësor të testuar, vetëm 2 kanë rezultuar pozitivë. Kjo është një gënjeshtër skandaloze dhe e paturpshme! Vetëm në qendrën shëndetësore nr 9, vatra e re e infeksionit Covid-, kanë rezultuar pozitivë

4 anëtarë të personelit, 2 mjekë, një infermiere dhe personi në recepsion. Dhe testet në këtë qendër u bënë, vetëm pasi u denoncua se pas identifikimit të 2 të infektuarve të parë, personelit nuk u ishin bërë tamponët. Testet janë bërë dje por vetëm disa anëtarëve të personelit që paraqisnin simptoma dhe disa familjarëve të tyre, por jo të gjithë personelit të Qendrës. Nga testimet e pjesshme kanë rezultuar pozitivë 4 anëtarë të personelit mjekësor, ndërsa ministria raporton vetëm 2 në total.

Si mund të talleni në këtë mënyrë si me personelin shëndetësor ashtu edhe me qytetarët, të cilëve u keni detyrimin e transparencës?

Si nuk të vjen zor zonja ministre e shëndetësisë, që manipuloni kaq trashë shifra, që janë të verifikueshme nga vetë të interesuarit?

Si nuk “tmerrohesh“ që luan kaq paturpësisht me shëndetin e njerëzve?

Si nuk “tmerrohesh“ që edhe pse ke të paktën 6 të infektuar në Qendrën Shëndetësore nr.9, bën testim të pjesshëm e jo të plotë, në këtë vatër të re infeksioni?

Pse po ndihmon në përhapjen e virusit mes mjekëve e pacientëve, duke mos zbatuar protokollet anti Covid, e duke fshehur shifrat pastaj?

Si ka mundësi që nuk të “tmerron“ fakti se QSUT dhe Qendra Shëndetësore nr.9 janë kthyer në vatra infeksioni, sic u “tmerrove“ dje nga qytetarët që u mblodhën spontanisht rreth kreut të opozitës në Durrës?

A nuk është përgjegjësia jote direkte, siguria e personelit shëndetësor, por edhe e pacientëve që i drejtohen strukturave shëndetësore publike?

A nuk je ti zonja ministre e shëndetësisë, që ke vendosur rregullat e propozuar ndëshkimet në Kodin Penal për mosrespektim të masave të sigurisë, si dhe për ata që bëhen burim infeksioni me apo pa dashje?

Si nuk “tmerrohesh“ që po i shkel vetë këto rregulla e falsifikon shifra, ndërsa për sigurinë shëndetësore të shqiptarëve paguhesh me taksat e tyre, e jo me lekët e Edi Ramës apo të PS?

Pa dyshim zonja ministre, do hysh në historinë e shëndetësisë shqiptare, si njollë e zezë e modelit, që jo thjesht nuk dinte, por as nuk donte të vendoste të parën sigurinë shëndetësore të shqiptarëve, edhe pse paguhej nga taksat e tyre."