Transmetuar më 30-05-2020, 13:18

Sekretari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i përgjigjet Kryeministrit Edi Rama, i cili grumbullimin e njerëzve në takimet e Lulzim Bashës në zonën e Kënetës në Durrës, i komentoi me fjalët “Të rrezikosh shëndetin dhe jetën e njerëzve për të luajtur një pllakë gramafoni”.

Bardhi thotë se Edi Rama nuk tmerrohet nga shndërrimi i QSUT-së në vatër infeksioni për dhjetëra pacientë, mjekë dhe infermierë.

Sipas tij, është fakt se sot vatra e vetme e infeksionit masiv është spitali, që duhet të ishte vendi më i sigurtë e ku masat të ishin me rigoroze.

Po ashtu shton se Edi Rama nuk tmerrohet nga varfëria e shqiptarëve dhe nga papunësia masive e tyre.

“Edi Rama e përdori koronavirusin për të shtypur, vjedhur dhe gënjyer qytetarët. Është fakt se Edi Rama është i vetmi Kryeministër në botë që vjedh me tendera sekret e koncesione për oligarkët, dhe urdhëron prishjen e Teatrit në mes të pandemisë. Ndaj Edi Rama ka të drejtë të tmerrohet nga bashkimi i shqiptarëve, që i la pa asnjë ndihmë, pa asnjë mbrojtje, dhe i vodhi e varfëroi edhe gjatë izolimit”, shkruan Bardhi.

Ai e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se propaganda bajate nuk e mbulon dot revoltën e qytetarëve në çdo cep të vendit dhe se “Pushteti kriminal, që lë shqiptarët pa asnjë qindarkë ndihmë në ditën e tyre më të keqe, është drejt fundit”. /a.y/noa.al

Basha në zonën e Kënetës: Ramavirusi goditje tjetër e rëndë, pas tërmetit

Basha në Durrës, Rama: Të rrezikosh shëndetin e njerëzve për të luajtur një pllakë gramafoni