Transmetuar më 30-05-2020, 11:44

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar takime me banorët e Kënetës në Durrës, duke thënë se pas dy muajve të mbyllur për shkak të koronavirusit të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është “Ramavirusi”.

Ai thotë se në zonën e Kënetës në Durrës takoi qindra qytetarë të rrënuar nga pandemia ekonomike e qeverisë.

“Si kudo në Shqipëri, edhe këtu Ramavirusi ka shkatërruar ekonominë dhe vendet e punës, duke shtuar hallet për këta banorë të goditur rëndë edhe nga tërmeti i 26 nëntorit. Ramavirusi është pandemia që torturon tash 7 vjet shqiptarët. Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto 7 vite si shqiptarët. Asnjë popull nuk ka paguar rritje të faturave të energjisë, rritje të çmimit të karburantit si shqiptarët. Kur erdhi dita që njerëzit kishin më shumë nevojë për përkrahje nga buxheti, Edi Rama i braktisi”, deklaron kreu i opozitës.

Ai shton se në vend që të ndihmonte qytetarët paratë vazhdoi ti çonte te oligarkët dhe se vetëm pardje thesari i shtetit pagoi 700 mijë euro të parave dhe taksave të qytetarëve për inceneratorin e Tiranës.

Sipas tij, për ti hapur rrugë ndërtimit të kullave, shembi Teatrin dhe do të marrë 30 milionë euro borxh, duke nënvizuar se interesi i Edi Ramës nuk janë qytetarët që sot janë në pamundësi.

Basha thotë se që ekonomia të rimëkëmbet pas shkatërrimit nga Ramavirusi, që të ulet papunësia dhe shqiptarët të jetojnë në normalitet duhet urgjentisht një qeveri që mendon e kujdeset për njerëzit.

“Unë dhe Partia Demokratike kemi vullnetin, vizionin, përvojën dhe dëshirën për t’i shërbyer qytetarëve. Vërtet nuk ka ende vaksinë për koronavirusin, por ka vaksinë për Ramavirusin dhe ky është bashkimi ynë për të sjellë ndryshimin që pret çdo shqiptar: një qeveri normale për t’i garantuar qytetarëve një jetë normale dhe me dinjitet”, deklaron ndër të tjera lideri i opozitës. /a.y/noa.al