Transmetuar më 30-05-2020, 11:33

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë njoftoi të premten lehtësimin e fundjavës edhe në zonat e kuqe pa orar, Policia e Shtetit sqaron se si do të kryhet qarkullimi me makina.

Në kuadër të zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Policia e Shtetit njofton të gjithë qytetarët se në datën 31 maj, ditën e diel, do të jenë të hapura të gjitha bizneset, si dhe do jetë e lirë lëvizja për këmbësorët, por nuk do lejohet në asnjë qytet të vendit qarkullimi i automjeteve.

Gjithashtu, edhe për këtë fundjavë nuk do lejohet hyrja dhe dalja në zonat e kuqe, si dhe ndalohet lëvizja drejt plazheve nga zonat që nuk janë zona bregdetare.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet ndalim-qarkullimin me automjete për ditën e nesërme, si dhe të respektohet distancimi social në të gjithë vendin.