Kushtetuesja, drafti i plotë i Komisionit të Venecias, i jep të drejtë Metës
Transmetuar më 29-05-2020, 21:13

Komisioni i Venecias i ka dërguar palëve në Tiranë draft-opinionin përfundimtar në lidhje me krizën e krijuar me Gjykatën Kushtetuese, ku sugjeron se për ta tejkaluar atë, dialogu ndërinstitucional është thelbësor dhe i ka dhënë të drejtë Presidentit Ilir Meta.

Situata e krijuar, sipas Venecias, ka arsye të shumëfishta, ku rendit mes të tjerash edhe vetë procesin e Vettingut, pasojat e të cilit – pohojnë ekspertët – kanë shkuar përtej parashikimeve.

Sa i përket procedurës së emërimeve, Venecia këshillon Kuvendin dhe Presidentin, që në kushtet kur kandidatët që plotësojnë kushtet janë të pakët në numër dhe përgjithësisht të njëjtët për disa vakanca, të bien dakord për procedurën që do të ndjekin.

Përndryshe, KED duhet t’i dërgojë listën Kuvendit sapo Presidenti të ketë kryer emërimin e tij, ose pasi nuk zgjedh për 30 ditë, pa ndonjë justifikim. Ky formulim i jep të drejtë pretendimeve të ngritura nga Presidenti Meta.

Duke e krahasuar me draft opinionin e muajt Mars, duket që mazhoranca ka ndërhyrë dhe ka arritur ta zbusë qëndrimin e Komisionit të Venecias, megjithatë përsëri konkluzioni mbetet i njëjtë: Presidenti i Republikës kishte të drejtë me emërimin e anëtarëve të GJK.

Zyrtarisht Komisioni i Venecias konfirmon se Presidenti, me aktin e tij të 5 nëntorit 2019, kishte pezulluar procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar me ligj. Pavarësisht se një pezullim i tillë nuk parashikohet me ligj, ai ishte një reagim ndaj një situate të pasigurisë juridike, e cila nuk mund të zgjidhej në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte kompetencën e tij të emërimit, që ai gëzon në bazë të Kushtetutës, dhe këtë e vërtetoi me emërimin e një kandidati menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Kuvendit.

Nën këto rrethanat, logjika juridike e dispozitës përkatëse nuk u zbatua dhe duket se është e arsyeshme të pranohet emërimi me vonesë i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti nuk pranoi të betohej gjyqtari që pretendohej se ishte paracaktuar nga aplikimi i mekanizimit zhbllokues.

Ndryshe nga sa pretendonte Partia Socialiste, në raportin me 22 faqe, nuk evidentohet asnjë shkelje e Kushtetutës dhe ligjit, nga ana e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Përkundrazi, Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë Presidentit edhe për kthimin që i bëri ligjit për procedurën e re të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke rikonfirmuar se ndryshimet e Partisë Socialiste bien ndesh me Kushtetutën. Kujtojmë këtu që ai projektligj u rikthye për shqyrtim nga Presidenti në Kuvend, gjatë mitingut të datës 2 Mars.

Por Venecia anon më shumë nga mazhoranca socialiste në lidhje me procedurën e zhbllokimit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nëse Presidenti refuzon ta bëjë këtë.

Por, Venecia thekson se nëse ky mekanizëm cilësohet i domosdoshëm, atëherë duhet të ngrihet në nivel kushtetues, jo ligjor siç është nisma aktuale e mazhorancës në Kuvend.

Sa i përket vendimeve të KED-së, Venecia kërkon që Avokati i Popullit të lejohet të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit. Ky i fundit, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, nuk duhet të bëjë pjesë të listave, kandidatë që ende nuk e kanë kaluar procesin e Vettingut.

Loading...