Transmetuar më 29-05-2020, 18:42

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka reaguar pas "lumit" të kritikave që pasuan deklaratën e tij, të shoqëruar edhe me video, për nënë e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia.

Duke shprehur keqardhje për këto reagime, të atyre që siç thotë kryepolici nuk kanë thënë asnjë fjalë mbështetëse, nënvizon se është përballur me shënjestra personale.

“Sot unë jam vënë personalisht në shënjestër dhe më vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes për të cilën fola dhe vetë qasjes sime ndaj saj”, thuhet në deklaratën e tij.

Sipas Veliut, ajo që ka thënë është nxjerrë jashtë kontekstit.

“Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti siç po bëhet.  Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë e vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate. Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të”, vijon deklarata.

Në fund u është përgjigjur edhe atyre që kanë kërkuar dorëheqjen pas veprimit që bëri në publik, ndërsa kërkon edhe ndjesë nëse ka krijuar keqkuptime.

“Por në fund dëshiroj t’u them të gjithë atyre që po e gjykojnë me ngut këtë "krim" të radhës, se nëse nuk kam arritur dot ta sqaroj si duhet atë çka kisha qëllim, kjo nuk mjafton për të më gjykuar me qëllim.

Këtë detyrë e kam mbajtur dhe do ta mbaj deri në fund me nder dhe puna ka folur e do të flasë për mua dhe Policinë e Shtetit më mirë se sa fjalët tona.

Ndjesë nëse kam krijuar një  keqkuptim me komentin tim dhe besoj se kushdo që do të gjykojë pa paramendim dhe pa e menduar edhe këtë si rastin e radhës për të baltosur Policinë e Shtetit, do të gjejë arsye për ta pranuar ndjesën time”, përfundon deklarata. /k.k/noa.al/

Djali iu dhunua nga policia, Veliu nxjerr videon e nënës me armë në dorë. Reagon Çobo: Pjesë e një filmi