Zbulohet dokumenti, Veliaj i lutet Ramës: Më jep 30 milionë euro për Teatrin e ri
Transmetuar më 28-05-2020, 11:18

Vetëm 4 ditë nga shembja e Teatrit Kombëtar dhe kur në vendngjarje nuk ishin hequr ende rrenojët e të vjetrit kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama ku i kërkon ndihmë financiare për të ndërtuar teatrin e ri.

Në letrën e publikuar nga ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku shihet qartë gjuha e përdorur nga Veliaj, aspak e pazakontë për një dokument zyrtar. Aty “i pari” i kryeqytetit flet me hamendësime se projekti i ri kushton “rreth 30 mln euro” pa vënë asnjë në dispozicion asnjë preventiv që ta justifikojë këtë shifër.

Veliaj thotë se bashkia ka hyrë në bisedime me Bankën Europiane të Investimeve për të mbështetur projektin me kredi ndaj kërkon ndihmën e qeverisë për të dalë garante. Ish-deputetja Tabaku thotë se Rama dhe Veliaj duhet të merren nën hetim pasi po marrin borxh në kurrizin e shqiptarëve për të mbuluar krimin e prishjes së teatrit.

“Nuk ka detyrim më të madh për qytetarët e Shqipërisë se sa të dërgojnë përpara përgjegjësisë penale kryehajdutin Rama që do të fusë një popull të tërë në borxhe vetëm për të ndërtuar një teatër me kulla. U bëjmë thirrje institucioneve financiare të refuzojnë unanimisht të bëhen pjesë e aferës kriminale.

Nuk ka asnjë borxh që shlyen vrasjen që iu bë kulturës, trashëgimisë dhe pasurisë publike të një kombi të tërë. Qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë nuk e duan këtë borxh. Ne nuk mund t’ua lëmë këtë turp si barrë fëmijëve tanë. Ne do ta luftojmë atë me çdo mjet ligjor dhe politik”- shkruan Tabaku.

Loading...