Transmetuar më 28-05-2020, 03:32

Qytetarët tashmë mund të dalin të blejnë veshje të ndryshme, në dyqane apo qendra tregtare, por sipas rregullave të reja asgjë nuk do të jetë si më parë, të paktën për disa kohë. “Prova e rrobave në kontakt fizik direkt me lëkurën duhet evituar. Prova rekomandohet të kryhet mbi rrobat ekzistuese kur është e mundur. Pas blerjes rroba duhet larë patjetër fillimisht e pastaj duhet veshur”, është vendosur në protokollin e masave higjieno-sanitare për të shmangur shpërthimin e COVID-19, në Shqipëri.

Por, sa zgjat koronavirusi në materiale të ndryshme?

Një studim i botuar në Gazetën Mjekësore në New England nga studiues në SH.B.A. vështroi mbijetesën e koronavirusit në një larmi sipërfaqesh – plastike, çelik inoks, bakër dhe karton. Rezultatet zbulojnë se virusi ishte gjetur në plastikë dhe çelik e inoks pas 72 orësh, ndërsa në karton dhe bakër nuk ishte më i evidentueshëm pas 28 orëve, shkruan “The Guardian”.

Sidoqoftë, një studim tjetër i botuar këtë muaj tregonte se: “Sars-CoV-2 ishte i qëndrueshëm në plastikë, çelik inoks, qelq, qeramikë, dru, doreza lateks dhe maskë kirurgjikale dhe evidentohej për shtatë ditë në këto shtatë sipërfaqe.”

William Keevil, një profesor në Universitetin e Southampton tha se në rastin e bakrit, studimi amerikan zmadhon kohën kur virusi mbijeton tek këto sipërfaqe. “Kam kaluar 20 vjet duke parë bakteret superbug, dhe më pas gripin, koronavirusin dhe të gjithë vriten brenda disa minutash”, tha ai. Arsyeja, tha ai, është se jonet e bakrit shkatërrojnë materialin gjenetik të baktereve dhe viruseve.

Rroba, libra dhe këpucë, virusi mund të mbijetojë më pak se 24 orë

Studimi thotë se në një kopertinë libri, virusi mund të mbijetojë deri në tre ditë, ndërsa në faqet e brendshme mund të rezistojë nga tre orë deri në pesë ditë.

Nëse virusi është akoma i pranishëm në sipërfaqe, çfarë do të thotë kjo për infeksionin COVID-19? Profesori Keevil tha se kjo çështje është një enigmë e madhe. “Në këtë moment të gjithë po i referohen gjërave si gripi,” tha ai, duke shtuar se “virusi dihet se përhapet nga njerëzit që prekin fytyrën e tyre, një arsye pse larja e duarve është theksuar si vendimtare në trajtimin e koronavirusit”.

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve: “Mund të jetë e mundur që një person të marrë Covid-19 duke prekur një sipërfaqe ose objekt, si një enë paketimi, që ka virusin në të dhe pastaj të prekë gojën, hundën ose ndoshta sytë, por kjo nuk mendohet të jetë mënyra kryesore që përhapet virusi”.