Transmetuar më 27-05-2020, 14:37

“Ramavirusi e ka çuar drejt katastrofës situatën e fermerëve. Të goditur nga pandemia ata nuk kanë marrë asnjë ndihmë ekonomike ndërsa konsumi ka rënë në zero”.

Është ky mesazhi i kryedemokratit Lulzim Basha, pas bisedës që pati sot me fermerët në tregun e Rrogozhinës, Gosës dhe Lekaj.

Ai deklaron se ata rrinë me orë të tëra për 10, 15, 20 mijë lekë te vjetra xhiro në javë dhe jo në ditë dhe se askush nuk ka parë asnjë ndihmë me sy, as ndihmë financiare, as ndihmë ushqimore.

“Propaganda me regji qendrore tregon një pamje të gënjeshtërt, pa lidhje me realitetin e shumicës së shqiptarëve. Propaganda nuk e fsheh dot dështimin e Edi Ramës, përgjegjësinë dhe sjelljen kriminale të tij”, shkruan Basha.

Lideri i opozitës thotë se milionat e taksave të shqiptarëve, të cilat ua dha 4-5 oligarkëve do të mjaftonin që edhe fermeri shqiptar, njësoj si fermeri i Kosovës, si fermeri i Maqedonisë së Veriut të kishte mundësi të siguronte të ardhura për të mbajtur familjen e tij në këto kohë të vështira. /a.y/noa.al

Basha me fermerët e Rrogozhinës: Gjendje katastrofale, Shqipëria punon për 5 oligarkë