Transmetuar më 27-05-2020, 13:42

Banorët e kompleksit “Jedas” ne Durrës kanë protestuar para bashkisë duke kërkuar sqarim ne lidhje me procedurat që po ndiqen për fazën e rindërtimit të pallatit në fjalë. Në këtë kompleks banojnë 280 familje, por 6 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, banorët nuk kanë asnjë informacion se ç’do të bëhet me këtë pallat.

Një grup i banorëve janë pritur nga nënkryetari i bashkisë së Durrësit Arbër Braho. Pas daljes nga takimi banorët janë shprehur se në bashki nuk kanë marrë asnjë sqarim për situatën.

Nënkryetari i bashksië Arbër Braho ka sqaruar se ekspertiza e thelluar e Institutit të Ndërtimit nuk ka ardhur akoma zyrtarisht në bashki. Ai shtoi se për fazat e mëtejshme, do të jetë bashkia ose instituti që do të përzgjedhe inxhinierët për hartimin e projektit që do të zbatohet në pallatet e dëmtuara me DS4.

Kompleksi “Jedas” është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit në 5 katet e para të tij. Në raportin e ekspertizës së thelluara që disponojnë banorët, sugjerohet që pallati mund të riparohet, pasi ka dëmtime të lehta në strukturë dhe dëmtime të rënda në muraturë.