Transmetuar më 27-05-2020, 12:16

Kryedemokrati Lulzim Basha u ndal paraditen e sotme në bashkëbisedim me fermerët në tregun agro-ushqimor në Rrogozhinë, ku u njoh me shqetësimet e ekonomisë familjare në fshat.

Pasi një qytetar u ankua se i mer ilaçet me listë dhe bukën borxh, Basha i tha se, “E vërteta nuk është turp. Turp është për atë që lekët e taksave tuaja ua çon oligarkëve e nuk ua jep ju. Kur vjen dita që t’ju ndihmojë, shteti i merr lekët dhe ia çon oligarkëve, jep tendera e koncensione. Ka lënë gjithë popullin në mjerim”.

Basha tha se tregtarët rrinë kme orë të tëra për 10, 15, 20 mijë lekë xhiro në javë dhe jo në ditë dhe se askush nuk ka parë asnjë ndihmë me sy.

Sipas tij, propaganda me regji qendrore tregon një pamje të gënjeshtërt, totalisht pa lidhje me realitetin.

“Ky është realiteti, përpara kam kilometër, ndoshta kilometër e gjysëm me tezga të banorëve të zonës, të fermerëve të zonës, të cilët kanë ekspozuar prodhimet e tyre, gjysmën e tyre do ta groposin sot, sepse nuk shitet. Kjo është një gjendje katastrofale. Bujqësia shqiptare ka shtatë vjet në krizë të thellë, por këtë vit me mungesën totale të subvencioneve, me mungesën totale të çdo lloj interesimi dhe paketë mbështetje situata ka kaluar atë që mund të përshkruhet si kritike”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se bredhjet me regji qendrore dhe propaganda e pështirë e qeverisë dhe Edi Ramës nuk mund ta fshehë përgjegjësinë e tij, dështimin e tij kriminal, sepse ato miliona të cilat ia ka hedhur 4-5 oligarkëve të taksave të shqiptarëve do të mjaftonin që edhe fermeri shqiptar, njësoj si fermeri i Kosovës, si fermeri i Maqedonisë së Veriut të paktën të mbante kokën mbi ujë në këto kohë të vështira.

Kreu i PD shtoi se e keqja po vazhdon të thellohet dhe se vetëm tek Teatri Kombëtar duan të harxhojnë 30 milionë euro taksave tuaja me të cilat mund të kishim mbyllur komplet kanalizimet e fshatrave të Shqipërisë, mund të kishim mbyllur komplet kanalizimet e autostradës Tiranë-Durrës ku janë edhe taksapaguesit më të mëdhenjtë, janë bizneset më të mëdha të cilët janë edhe kontribuuesit më të mëdhenj të cilët qelben nga mungesa e infrastrukturës; mund të ndihmonin mijëra familje në shtrëngesë të madhe në këto kohë të Covid-it të cilat i kanë zhvatur edhe nga qindarkat e fundit.

“Kjo është një Shqipëri e robëruar nga Edi Rama me 5 oligarkë e cila vazhdon të paguajë për krimet, për hajdutërinë, për zhvatjen e kësaj shoqërie. Ndaj, shpëtimi i vetëm është një orë e më parë të garantojmë që ju me votën tuaj t’i drejtoheni kutive të votimit dhe t’i japim fund kësaj të keqe dhe të kthejmë bashkë me demokracinë edhe institucionet tuaja, edhe ekonominë, edhe punësimin, edhe mbështetjen për njerëzit punëtorë.

Sot në Shqipëri nuk mbështetet punëtori, nuk mbështetet njeriu i punës, nuk mbështetet prodhimi, mbështetën kriminelët, mbështetem hajdutët, mbështetën 5 oligarkë, e gjithë Shqipëria punon për 5 oligarkë.”, deklaroi kryedemokrati.

Ai tha se kjo situatë do të marrë fund dhe duhet të marrë fund një orë e më parë. /a.y/noa.al