Transmetuar më 27-05-2020, 11:05

Tirana është kthyer në vatrën e nxehtë të koronavirusit në vend, ku në 24 orët e fundit u konfirmuan 21 raste të prekur, ndërsa në rrethet e tjera, nuk raportohet asnjë infektim i ri.

Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit.

Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë janë transferuar në spitalin infektiv.

Ministria e Shëndetësisë, deklaroi se ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend.

Ndërkohë shtrimet në spital janë rritur, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Kjo shifër vjen e rritur, pasi një ditë më parë u raportua për 17 pacientë të shtruar, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 101; Durrës 51; Krujë 23; Shkodër 12; Kamëz 9; Berat 6; Fier 2; dhe Korçë 1. /a.y/noa.al