Transmetuar më 26-05-2020, 22:10

Partia Socialiste nuk dëshiron që të ndryshohet sistemi aktual zgjedhor edhe pse prej kohësh po merr pjesë në një komision të posaçme për të reformuar këtë sistem.

Anëtari i Këshillit Politik të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri pranoi sot publikisht se Partia Socialiste preferon që të mbetet sistemi aktual. Lidhur me propozimin për miratimin e një sistemi danez, ai tha se, kjo gjë mund të sjellë mazhoranca të dobëta që do të përkthehet në paqëndrueshmëri politike, duke iu referuar si shembull negativ Kosovës.

“Ne jemi për sistemin aktual, pasi nuk shohim asnjë problem. Por, nëse kërkohet rishikimi i sistemit, edhe ne do shprehim preferencat tona. Ky sistem nuk është i keq, ka nevojë për ndonjë përmirësim, por nuk është i keq. Si PS, e kemi thënë që jemi për sistemin aktual”, u shpreh zyrtari i mazhorancës në intervistë për Euronews Albania.

Gjiknuri madje pohoi se me opozitën, në marrëveshjen e arritur, është rënë dakord që çështjet që prekin dokumentin themeltar të shtetit aktualisht të mos preken.

“Problemi është nëse një vend do të ndryshojë sistemin zgjedhor për ta çuar drejt një proporcionaliteti, do të thotë që nuk do të ketë mazhoranca të sigurta në Kuvend. Problemet në Shqipëri nuk vijnë nga përfaqësimi. Në fund të fundit, sistemi do të sjellë të njëjtët njerëz. Shikoni Kosovën se çfarë destabiliteti ka në qeverisje. Ky sistem në dukje favorizon partinë e madhe, por ky sistem lejon koalicionet”, shtoi z. Gjiknuri.

Në këtë pikë shtrohet pyetja: Përse po bëhet kjo tryezë e reformës zgjedhore, përderisa mazhoranca nuk do që të ndryshohet sistemi dhe dukshëm edhe demokratët në opozitë nuk duan ta prekin atë?