Transmetuar më 26-05-2020, 21:37

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar sot kthimin mbrapsht të një ligji, sepse ishte me gabime drejtshkrimore, gjuhë shqipe të pasaktë dhe përdorim të fjalëve të huaja.

Me këtë dekret dhe arsyetimin e mëposhtëm që noa.al jua sjell të plotë, z.Meta, njëkohësisht ka goditur Ramën te pika e tij e dobët, shqipja, por edhe ka poshtëruar qeverinë duke demonstruar arsye ordinere të cilat tregojnë se ku katandiset përgatitja e një drafti ligjor nga aparati i ekzekutivit shqiptar.

Meta thotë se ligji nr. 43/2020, duke filluar nga dispozita e përkufizimeve, apo në tekstin integral të tij përmban terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe.

Disa prej tyre janë “surf”; “windsurf”; “wakeboard”; “kitesurfing”; “bareboat”; “kroçera”; “surf”-et me vela; “kanoat”; “on-line”.

Kuptimi i këtyre emërtimeve sipas përmbajtjes së ligjit përbën thelbin e tij, pasi njëra prej arsyeve kryesore se përse ky ligj është propozuar për t’u miratuar, është rregullimi i veprimtarive të lejueshme në zonat kushtuar turizmit detar, që lidhet pandashmërisht edhe me mënyrën se si duhen ushtruar veprimtari apo sporte të caktuara.

Ligjvënësi, në nenin 3 është përpjekur të japë edhe shpjegime në formën e një përkufizimi për këto terma, por këto terma nuk janë në gjuhën shqipe, duke bërë që këto çështje të paraqesin probleme të një niveli kushtetues:

Përdorimi i termave në gjuhë të huaj, bën që ligji në tërësi të jetë në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipëri, që përcakton se “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja.”

Në vijim të arsyetimit presidencial, Meta ka vazhduar jo vetëm ti tregojë abetaren qeverisë, por edhe ti kujtojë asaj se po cenon identitetin kombëtar: "Përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj, në një ligj, pra në aktin më të lartë me fuqi detyruese që nxjerr Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, që përbën aktin zyrtar bazë pas ligjit themeltar të vendit: Kushtetutës, jo vetëm shkel parimin se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe, por cenon drejtpërdrejtë dhe identitetin kombëtar, të mbrojtur posaçërisht që nga preambula e Kushtetutës sonë. Ky detyrim kushtetues kërkon që më së pari, qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë të jenë shumë të kujdesshëm përgjatë miratimit të ligjeve në mënyrë që t’i nënshtrohet rregullave të drejtshkrimit që mbështeten sa më gjerë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare shqipe".

Për z.Meta, përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj, duke u përpjekur t’u jepen edhe përkufizime, bie ndesh edhe me çdo rregull të teknikës legjislative, që dispozitën e përkufizimeve e njeh si një dispozitë jo për të përkthyer terma të huaj në një ligj, sikur të jetë fjalor, por për të zbërthyer për zbatuesin e ligjit, kuptimin e një emërtimi gjithmonë në gjuhën shqipe, duke dhënë një shpjegim të përmbledhur, qoftë edhe shkencor, të përmbajtjes dhe kuptimit të një fjale.

"Një ligj, në përmbajtjen e të cilit ka emërtime jo në gjuhën shqipe, është i papranueshëm, qoftë dhe nën këndvështrimin e përafrimit të legjislacionit në kuadër të proceseve të integrimit evropian, procese që kërkojnë përputhshmëri të legjislacionit shqiptar me acquis-in, por në asnjë rast huazim të emërtimeve të huaja duke i bërë pjesë të një ligji, dhe për pasojë, pjesë të fjalorit të brendshëm të gjuhës. Është detyrë e hartuesit të një nisme si vlerësuesit e miratuesit të saj që të kujdeset për gjuhën shqipe në një dokument zyrtar", thuhet në arsyetimin e Presidentit, mbushur me nota sarkazme për paaftësinë e qeverisë që të hartojë një ligj në përputhje me normat e gjuhës shqipe.

Por Presidenti ka ca këshilla edhe për Parlamentin i cili edhe më vaj medet se qeveria, e ka kaluar ligjin pa u kujdesur për respektimin e normave minimale të shqipes.

"Presidenti i Republikës, sjell në vëmendje të Kuvendit të Shqipërisë se përgjatë procesit legjislativ duhet t’u referohet parimeve të përcaktuara nga Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (viti 1972) ku janë përcaktuar qartë parimet, mbi të cilat duhet të udhëhiqet përcaktimi dhe zbatimi i rregullave të drejtshkrimit të shqipes".

Këtu vjen dhe ironia e radhës nga Meta, i cili duket se i bën deputetëve, sa një dush të ftohtë po aq dhe një leksion të shkollës 9-vjeçare, duke nxjerrë në pah mjerimin e nivelit të Parlamentit aktual: "Për ta bërë më të thjeshtë për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët, po përzgjedhim tri fjalë të huaja të vendosura në këtë ligj. Cila ka qenë ideja e Kuvendit mbi mënyrën e leximit në shqip të fjalës “surf”? Do të lexohet drejtpërdrejt sipas shqiptimit të shkronjave shqipe që përbëjnë këtë fjalë, apo në gjuhën angleze ku shqiptimi i kësaj fjale është “sërf”? Po për fjalët e përdorura në ligj “windsurf” dhe “wakeboard”, të cilat kanë në përbërjen e tyre shkronjën “w”, shkronjë kjo që nuk përfshihet në alfabetin e gjuhës shqipe, do të lexohen në gjuhën angleze “uindsërf” dhe “ueikbord”?

Referuar problematikës së mësipërme dhe nevojës për përmirësimin e këtyre çështjeve, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin e ligjit nr. 43/2020, për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas dekretit për kthimin e ligjit, nuk ka një reagim nga Rama, i cili njihet si orator dhe shkrues ciësor i shqipes. /noa.al/