Transmetuar më 26-05-2020, 17:07

Një deklaratë sa e pabesueshme, aq edhe e papërgjegjshme. Ish-lojtari i Torinos, Massimo Brambati akuzoi se në Serinë A janë dy futbollistë të prekur nga koronavirus, por që klubet e fshehin.

Sipas personazhit kontrovers, njëri prej të infektuarve nga Covid-19 është Thomas Strakosha. Ai ka shkuar edhe më tej, duke akuzuar klubin e Lazio-s se e ka fshehur këtë fakt, duke njoftuar se portieri kuqezi është i dëmtuar.

Brambati tha se futbollisti tjetër i prekur është Kessie i Milanit, që gjatë udhëtimit nga Afrika udhëtoi përkrah Gervinho-s, duke bërë që edhe ky i fundit të vetizolohet.

Këto fjalë të pavërteta nuk u pritën aspak mirë nga portieri shqiptar, i cili me vendim të klubit nuk mund të shprehet personalisht, duke qenë se çështja është delikate.

Përgënjeshtrimi erdhi nga vëllai i Thomasit, Dimitri Strakosha, Dimitri Strakosha. “Duhet të të vijë turp që përhap gënjeshtra. Nëse nuk do të kisha respekt për moshën që ke do të hidhja personalisht në gjyq për dezinformim”, iu drejtua ai ish-lojtarit.

Me gjithë situatën e pazakontë të shkaktuar nga deklaratat e pabazuara, te Lazio janë të qetë. Mbi të gjitha sepse lëndimi i portierit kuqezi nuk është aq serioz sa u mendua dhe shpejt Thomas Strakosha pritet të kthehet në fushë.