Transmetuar më 25-05-2020, 15:29

Studiuesit në Australi kanë arritur një shpejtësi rekord botëror të internetit, prej 44.2 terabitëve për sekondë, duke lejuar përdoruesit të shkarkojnë 1.000 filma HD në një sekondë të vetme.

Një ekip nga universiteti Monash, Swinburne dhe RMIT përdorën një çip optik ‘mikro-krehër’ që përmbante qindra lazer infra të kuqe për të transferuar të dhëna nëpër infrastrukturën ekzistuese të komunikimit në Melburn.

Shpejtësia më e lartë komerciale e internetit kudo në botë është aktualisht në Singapor, ku shpejtësia mesatare e shkarkimit është 197.3 megabit për sekondë (mbps). Në Australi, shpejtësia mesatare e shkarkimit është 43.4 mbps – një milion herë më e ngadaltë se shpejtësia e arritur në provën e fundit.

“Ka një garë globale për momentin, për ta përvetësuar këtë teknologji në një fazë komerciale, pasi ‘mikro-krehri’ është i dobishëm për shumë teknologji ekzistuese,” tha Dr. Bill Corcoran nga Universiteti Monash, për The Independent.

“Unë mendoj se ne mund të shohim pajisje si tonat në dispozicion të laboratorëve hulumtues brenda dy-tre vitesh dhe përdorimin fillestar komercial brenda pesë vjetësh”, tha më tej Dr. Corcoran.

Izolimi në shtëpi për shkak të pandemisë së koronavirusit ka shkaktuar një tendosje të konsiderueshme në infrastrukturën e internetit gjatë muajve të fundit. Në Evropë, ofruesve të disa platformave iu kërkua që të ulin cilësinë e shërbimeve të tyre në mars, në mënyrë që të përballojnë rritjen e trafikut.

Netflix dhe YouTube ishin midis atyre, që ranë dakord të ulin cilësinë e imazheve për përdoruesit, raporton Businesmag.

Implementimi i pajisjes mikro-krehër do të lehtësonte këtë problem, sipas studiuesve.

“Përdorimi i kësaj pajisjeje na mundëson një vështrim të detajuar, lidhur me kapacitetin e rrjeteve,që do ta shohim brenda pak disa viteve – veçanërisht kur të fillojmë të lançojmë online teknologjinë 5G, automjete, që drejtohen pa shofer dhe “internet of things”, më gjerësisht.“Pra, ne do të kemi nevojë për teknologji të reja kompakte si pajisje në madhësinë e gishtërinjve për të zgjeruar kapacitetin e të dhënave që mbajmë në rrjetet tona – për të zvogëluar hapësirën dhe konsumin e energjisë, si dhe kostot, ndërsa rritim normat e përgjithshme të të dhënave. Demonstrimi ynë tregon gjithashtu se pajisja, që prodhuam është në përputhje me infrastrukturën e fibrave optike, që tashmë përdoren në treg”, tha Bill Corcoran.