Transmetuar më 22-05-2020, 22:11

Përditësuar 23:10 – Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e sotme se ka vendosur të mbyllë lëvizjen e njerëzve dhe automjeteve në vend gjatë ditës së diel e cila është dhe dita e Bajramit për myslimanët që përbëjnë shumicën e popullsisë në Shqipëri.

Në njoftimin e tij, z.Rama tha se mbyllja këtë fundjavë do të jetë njësoj si atë të shkuarën, duke nënkuptuar se të shtunën dyqanet do të jenë të mbyllura, përveç ushqimoreve dhe farmacive, kurse të dielën nuk do të ketë asnjë dyqan hapur.

Ndërkohë, të shtunën dhe të dielën do të lejohet lëvizja e njerëzve vetëm për të moshuarit në mëngjes dhe për nënat me fëmijë gjatë paradites deri në 17.30.

Sakaq, automjetet ndalohen të lëvizin këtë të shtunë dhe të diel.

Vendimi i Ramës, duket të jetë i njëjtë dhe me festat e tjera fetare trë javëve të fundit, si Pashka Katolike dhe ajo ortodokse. Por mbyllja gjatë festave të krishtere ishte në kuadrin e njjë pandemie dhe masave drastike kufizuese.

Ndërsa mbyllja këtë fundjavë të festës së myslimanëve, duket pa sens, në kushtet kur hapja është thuajse totale, kur dyqanet janë hapur të gjitha, baret dhe restorantet po ashtu, autorizimi për lëvizje është hequr për njerëzit dhe makinat në të gjithë Shqipërinë dhe ka nisur mësimi në shkolla.

Menjëherë pas daljes së urdhrit Rama sonte, disa nisën të shtrojnë pyetjen thuajse të njëjtë: "A është e mundur që koronavirusi të godasë vetëm të dielën e Bajramit dhe jo gjithë ditët e tjera të javës?" /noa.al/

MSH nxjerr urdhrat për fundjavën

Pak orë pas Edi Ramës, doli edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ajo njoftoi me dy urdhra që noa.al jua sjell më poshtë, se nuk do të lejohen aktivitetet e biznesit, përveç farmacive dhe pikave të shitjes së produkteve ushqimore me pakicë, të cilat lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre ditën e shtunë, datë 23 Maj 2020 deri në orën 21:00.

Ndërsa ditën e diel të gjitha aktivitetet do të jenë të mbyllura.

Nuk do të lejohet lëvizja e makinave, ndërsa sa i takon lëvizjes së këmbësorëve, lejohet lëvizja e pensionistëve, ditën e shtunë dhe ditën e diel, datë 23 dhe 24 maj 2020 deri në orën 10:00, të shoqëruar me jo më shumë se një person në krah.

Lejohet gjithashtu lëvizja e prindërve me fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, ditën e shtunë dhe ditën e diel, datë 23 dhe 24 maj 2020, pas orës 11, të pashoqëruar me persona të tjerë në krah. Në urdhër, MSH nuk thotë se deri në cilën orë pas 11.00 lejohet kjo lëvizje.

Si ishte fundjava e shkuar

Të shtunën dhe të dielën lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë dhe dalja e disa prej këmbësorëve bëhet me dy fasha: Deri në orën 10:30 vetëm pensionistët dhe nga ora 10:30 deri në 17:30 nënat me fëmijët deri në 14 vjeç. Të gjithë të tjerët në shtëpi.

Të shtunën qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17:30, ndërsa të dielën gjithçka është e mbyllur.