Transmetuar më 22-05-2020, 21:59

Mazhoranca e kryeministrit Edi Rama po forcon gjithnjë e më shumë shtetin "special", duke intensifikuar masat shtrënguese dhe nisma që shihen si të dyshimta, siç është përgjimi pa mandat prokurorie dhe gjykate.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur sot nga Kakavija, për projektligjin, që lejon policinë të kryeje përgjime pa lejen e Prokurorisë. Lleshaj tha se Policia ka detyrë ekskluzive për parandalimin e krimit, prandaj, tha ai, do të ketë në dorë këtë lloj instrumenti.

“Policia e Shtetit është vetë organ ligjzbatues dhe ka detyrën dhe përgjegjësinë për të ushtruar parandalimin e krimit. Dhe leja do të jepet nga autoritetet përkatëse, drejtuesit të policisë", – tha z.Lleshaj, duke shtuar: "Thashë edhe njëherë, Policia është një organ ligjzbatues i këtij shteti, e cila ka detyrë ekskluzive parandalimin e krimit. Dhe në funksion të këtij parandalimi, Policia do të ketë edhe këto instrumente në dorë”.

Lidhur me shqetësimin publik se projektligji i ri kërcënon të drejtat e njeriut, pasi krijon hapësirat që policia të kthehet në një instrument nga pushteti, Lleshaj tha se alarmi është dhënë nga ata që nuk janë njohur me draftin.

“Ne s’kemi nisur ndonjë plan për survejimin e të gjithë shtetasve shqiptarë në Parlament. Nuk ka një plan të tillë, të survejojmë shtetasit shqiptarë. Janë dhënë alarme nga ata që ende nuk janë njohur me iniciativën e qeverisë, e cila synon vetëm t’i krijojë policisë mundësitë për të ushtruar funksionet e saj në drejtim të parandalimit të krimit”, tha Lleshaj.