Shqipëria hap në mënyrë të njëanshme kufijtë me Kosovën më 28 maj
Transmetuar më 22-05-2020, 19:16

Shqipëria ka vendosur që ta hapë kufirin me Kosovën më 28 maj, bëjnë të ditur burime brenda qeverisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të bëjë hapje të njëanshme të kufijve me Kosovën, pasi siç tha ai, nuk ka me kë të flasë në Kosovë pasi atje qeveria është në detyrë dhe ende nuk ka një qeveri të re.

Mësohet se kufijtë shqiptarë, tokësorë, ajrorë dhe detarë do të hapen deri në fund të muajit maj 2020.

“Brenda majit, Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë do të jenë hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turistik”, njoftoi z.Rama.

Por, ndërsa Shqipëria vendosi të hapë kufijtë me Kosovën e më tej me tërë botën, kur do ta hapë Kosova kufirin e saj me Shqipërinë?

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti thotë se ka një plan konkret që hapja e kufijve dhe aeroporteve të rivlerësohet në fazën e tretë të hapjes – e cila fillon më 1 qershor.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që hapja e kufijve, në veçanti me Shqipërinë, të ndodhë edhe më herët.

“Ministria e Shëndetësisë me institucionet e tjera janë çdo ditë në përcjellje dhe vlerësim të situatës dhe vendimet i marrin duke u bazuar në rekomandimet nga institucionet përgjegjëse për situatën epidemiologjike dhe rrethanat e tjera”.

Duke komentuar njoftimin e qeverisë shqiptare për hapjen nga ana saj të kufijve me Kosovën, qeveria e Kosovës thotë se Shqipëria mund ta hapë kufirin njëanshëm, sepse “secili shtet vendos për kufijtë e vet”.

Por në një situatë kur Shqipëria hap kufirin me Kosovën, por jo edhe Kosova, a do të karantinoheshin të gjithë qytetarët që vijnë nga Shqipëria?

“Nëse nuk hiqet karantina e kuptueshme është që po, pos kategorive që nuk hyjnë si: personat mbi 70 vjet, të sëmurët kronikë, fëmijët nën moshën 18 vjeçare, mjekët, pjesëtarët e Policisë dhe FSK-së, personat që marrin pjesë në ceremoni familjare varrimi dhe personat që dëshmojnë se në tre ditët e fundit kanë bërë testin, por për çdo ditë rivlerësohet situate. Karantina mund të hiqet nesër ose pas një muaji – këto janë gjëra që ndryshojnë varësisht situatës”.