Transmetuar më 21-05-2020, 13:19

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se dialogu për çështjen e Teatrit Kombëtar ka nisur para 20 vitesh.

Duke folur sot në Parlament, ajo deklaroi se ka qenë dialog i gjatë, i kërkuar nga artistët dhe aktorët e teatrit dhe sot është kthyer në një temë politike.

“Kadri Roshi shprehej se po realizohej ëndrra e tij. E kanë thënë dhe Violeta Manushi, Robert Ndrenika. Dialogu ka filluar këtu e 20 vite më parë. Një kacavjerrje xhamash nga politika për ta kthyer në debat është një skenë e turpshme. Askush nuk mund të mohojë se janë organizuar takime, dialogje dhe radhët e artistëve që kanë gjetur arsye në dialog janë larguar dhe janë zënë me ata që janë thjeshtë politikanë. Ata ishin shumë në protestën e parë. Por gjendej një rrugë për të çuar para. Të merresh sot me personat që e kanë një kauzë të rikthimit në të njëjtën karrige janë po të njejtët persona po vënë kujën që Teatri ka vlera monumentale. Aktorët kanë nevojë dhe dinjitetin për të pasur ato hapësira sado minimale”, u shpreh Margariti.

Ministrja shtoi se janë propozuar shumë ndërhyrje në Teatër, por të vetmit arkitektë që kanë bërë ndërhyrje janë në lagështi dhe arnime.

“Një zotim kam sot për artistët. Ata teatrin e tyre do ta kenë sepse e meritojnë. Ky është një dinjitet që duhet bërë dhe një kulturë që na nevojitet”, tha Margariti. /a.y/noa.al