Transmetuar më 21-05-2020, 13:09

Bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri i bëri thirrje nga Parlamenti, opozitës jashtëparlamentare që të kthehet në tryezë.

Ai deklaroi se zgjedhjet nuk kanë qenë problem sistemi, por mos pranimi i rezultati nga humbësi.

Gjiknuri tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak se ligji ka qenë i keq, por se humbësit zakonisht mallkonin sistemin.

“Reforma zgjedhore duhet të ketë dakordësi se përfaqësojnë elektoralin e saj, përfshirja e PD-së ishte dhe është e domosdoshme, por brenda limiteve që përcakton koha. Flitet sikur kanë sjellë 5 trakte dhe ne duhet t’i hamë, reforma nuk bëhet me letërkëmbime. Funksionuam si një grup teknik, ku palët ulet dhe diskutojnë dhe nëse nuk gjejnë dakordësi kemi një arbitër mendimi që na thotë si është më e mira, që është ODIHR. Sot janë në tavolinë disa paketa, ka diferenca për rolin e kontrollit, për kuotën gjinore, për shpenzimet elektorale, për këtë duhet t’i kthejmë përgjigje me shkrim? Kemi ndarje po si do zgjidhen me letër këmbime apo me diskutime në tryezë? Vetëm kështu do të ecim përpara, nuk është mënyrë të largohesh nga tavolina, po ulu puno, dialogo”, u shpreh Gjiknuri.

Ai tha se ka shumë sisteme, por se kur ndryshohet sistemi zgjedhor, ndryshohet raporti që ka Kuvendi me Presidencë dhe në institucionet e tjera dhe se do shpërbëhej Kushtetuta.

Sipas tij, po u prek sistemi do të preken të gjitha raportet e elektoratit dhe institucioneve. /a.y/noa.al