Kaluan afatin 90-ditor dhe u gjobitën, Kryeministri jep lajmin e mirë për emigrantët
Transmetuar më 20-05-2020, 19:25

Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me gjobitjen e disa emigrantëve shqiptarë të cilët janë penalizuar nga pala greke pasi kishin kaluar afatin 3-mujor të qëndrimit.

Edhe pse ishte thënë se nuk do të ketë asnjë masë të tillë, pasi qëndrimi jashtë afatit në Greqi ishte i kushtëzuar nga koronavirusi, shumë qytetarë janë gjobitur.

Për këto raste Kryeministri thotë se ka marrë garancinë e autoriteteve greke se do rishikohet çdo gjobë.

“Zyra ime ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke, pas lajmit të bërë publik të gjobitjes se disa shtetasve shqiptare që kanë tejkaluar afatin 90 ditor të qëndrimit në Greqi gjatë muajve të fundit. Autoritetet greke do të rishikojnë të gjitha gjobat e vendosura, ndërkohë kanë siguruar se në kohëzgjatjen e pandemisë vendosja e gjobave do të ndodhë vetëm në rastet flagrante, ku shkelja e afateve nuk ka lidhje me situatën e krijuar nga covid19”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Dhe nëse pala greke nuk do të anulojë gjobat, atëherë qytetarët do të rimbursohen nga shteti.

“Unë i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë te cileve autoritetet greke nuk do t’ua anulojnë gjobën, se do të rimbursohen në masën 100% nga qeveria e Republikës së Shqipërisë”, përfundon Kryeministri. /k.k/noa.al/

Loading...