Transmetuar më 20-05-2020, 18:44

Një nga qëndrestarët për mbrojtjen e Teatrit Komnbëtar, aktori Neritan Liçaj foli sot në protestën e dytë pas shembjes së godinës.

Ai tha se askush nuk kërkon asgjë më tepër sesa të jetojë në një vend normal.

Vendimi për të shembur Teatrin do mbahet mend gjatë, u shpreh aktori, ndërsa për Kryeministrin tha se do ta dënojë historia.

“Ne duam një vend normal, si gjithë Europa. Unë besoj se kauzë më të mirë sesa Teatri nuk ka. Çështja jonë ka qenë patriotike, paqësore, qytetare, që të shprehemi të gjithë. Ne e kemi quajtur teatrin si sheshi i lirisë. Kjo sepse ne aty iu thoshim të vërtetat në sy njëri-tjetrit.

Unë do doja drejtësi për këtë krim që u bë. Ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtat institucionale. Duhet drejtësi për këtë shpirt të pushkatuar.

Te Teatri nis bota shqiptare. Çdo gjë që ka të bëjë me mua, ka të bëjë edhe me ju, me të gjithë. Jam krenar që jam shqiptar, sepse jemi racë e fortë. Duhet parë përtej parave, përtej pushtetit. Teatri një kauzë e drejtë dhe historia do të dënojë Kryeministrin”, tha Liçaj.