Transmetuar më 20-05-2020, 09:32

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka ndarë një mesazh kërcënues të cilin ka marrë.

Ai bën me dije se kërcënimi ka ardhur nga Garda Vullnetare Shqiptare

Në mesazhin kërcënues thuhet se do i dilet në mbrojtje vendit dhe se, “Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e Vetëvendosjes, që ndihmojnë në organizimin e kësaj proteste, tani kanë arsye të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës”.

Mesazhi i Kurtit

“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura ‘Garda Vullnetare Shqiptare’, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër. Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.

Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin. Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë. Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës”. /a.y/noa.al