Transmetuar më 19-05-2020, 23:47

Një ngjarje e rëndë dhe e dhimbshme ndodhi disa ditë më parë në Kabul të Afganistanit, ku u krye një sulm me bombë në martenitetin e spitalit Dasht-e-Barchi.

Nga ky sulm humbën jetën 24 persona, përfshirë të porsalindur, nëna dhe infermiere.

Një 27-vjeçare, Firooza Omar e cila është me profesion psikiatre, dhe njëkohësisht nënë e një foshnjeje 4-muajshe, vendosi të ndihmojë vullnetarisht për të ushqyer foshnjat me gji, nënat e të cilave ishin vrarë ose plagosur.

"Kur shkova në spital, pashë rreth 20 foshnje," tha Firooza. "Disa prej tyre ishin plagosur", tregon ajo me tej.

Stafi mjekësor ishte përpjekur të ushqente foshnjat me qumësht pluhur, shpjegon ajo, por disa foshnje po refuzonin të pinin.

"Unë fola me infermierët dhe ata më thanë të ushqeja foshnjat që qanin shumë."

Natën e parë, ajo arriti të ushqejë me gji katër foshnje, njëra pas tjetrës.

"Kishte një efekt qetësues për mua. U ndjeva mirë që munda t’i ndihmoja", tha ajo.

Gjatë ditëve në vijim, Firooza vazhdoi të ushqente djalin e saj në shtëpi, ndërsa gjithashtu u kthye në spital për të ushqyer edhe foshnjat.